Page 14 - Nën hijen e Kodrës së Gjelave
P. 14
12 NËN HIJEN E KODRËS SË GJELAVE
– Jo, ne... – belbëzoi i mëdyshur plaku. – Do të na i sjellin
nesër, ashtu patëm një ngatërresë.
Paulitisi filloi të qante përsëri me të madhe, ndërsa Laimdota
e tërhoqi dorën, mirëpo plaku po e mbante fort.
– Hajt tani, i vogli Paulitis. Ja edhe pak fare, e mbaruam. Do
të vijë edhe mami në mëngjes. – U kthyen djathtas dhe hynë në
kafazin e errët të shkallëve.
Nga dritaret e larta të dhomës katërqind e dy, sheshi
“Esplanade” dukej si ta kishe në pëllëmbë të dorës. Rrëmbyesi
u turr drejt perdeve të rënda dhe për një hop e mati sheshin me
sy. Pastaj i uli ngadalë perdet e të tria dritareve të dhomës së
mesit, që u ndoqën edhe nga dy perdet e dritareve të dhomës
ngjitur. Sapo u çliruan nga shtrëngimi i tij i fortë, tre të vegjlit u
ngjeshën pas njëri-tjetrit në një qoshe të korridorit të ngushtë.
Paulitisi i vogël qante dhe Laimdota ndiente se i ishin mbledhur
lotët në grykë, kurse Imantsi ndiqte i ngrysur lëvizjet e plakut.
Në gjysmëterr, ata panë burrin që u kthye drejt tyre dhe vuri
gishtin bullafiq te mustaqet:
– Shshsht! Mos bëni zhurmë.
Ngjeshur pas derës së kyçur të hyrjes, fëmijët si të ngurtësuar
shihnin këtë njeri të çuditshëm t’iu afrohej.
– Përshëndetje, – pëshpëriti ai me zë të ngjirur. – Unë do të
jem babagjyshi juaj i Krishtlindjes. Do të merrni dhurata, do
të bëjmë edhe pemën. S’do të na mungojë asgjë. Ama, duhet të
qetësoheni.
Ai u ul në qilimin e errët në mes të dhomës së stërmadhe,
ndërsa dritat e sheshit “Esplanade” përshkonin perdet e lëshuara.
Rrëmuja e rrugës dëgjohej ende, ashtu si edhe zëri i lartë i dikujt
që shkonte nëpër korridor me hapa të lehtë, duke kënduar:
3
“Will you love me in December as you do in May?”
3 Këngë me po të njëjtin titull e Xhejms Xh. Uokerit e vitit 1905.