Page 15 - Nën hijen e Kodrës së Gjelave
P. 15

Osvalds Zebris                                           13


                – Kemi edhe një surprizë, – tha plaku, duke i ngritur duart
            sikur po lutej, pastaj i hapi tej e tej e buzëqeshi. – Ju pret një
            surprizë. Madje, – rrudhi buzët e për pak u lëshua të këndonte,
            – është nga ato që do ta kujtoni gjithë jetën dhe nuk do ta ndani
            nga goja.
               Një prehje solemne e pushtoi të huajin, por duhej ende
            shumë që ajo të mbërrinte gjer te fëmijët e tronditur. Ai ishte
            gati të shpërthente në gaz, prej shendit e paqes që nuk e kishte
            ndier prej vitesh. Më në fund, do të pushonte! Nuk do të ngjiste
            më maja, nuk do ta vinin më në provë.
               Plaku u ngrit e lëshoi përdhe pardesynë me astar të ngrënë,
            ndezi dy prej llambadarëve të mëdhenj, llambat e gjelbra në
            tryezat e të dyja dhomave, llambat e korridorit, atje ku ishin
            fëmijët, si dhe ato të banjës luksoze. Sa herë ndizej një dritë,
            ai ndryshonte ca e nga ca derisa doli se nuk ishte aspak plak,
            por një burrë i fortë e plot besim në vetvete, diku te të dyzetat,
            në mos edhe më i ri. Atë pamje plaku ia jepnin pardesyja e
            dalëboje dhe çizmet e rrëgjuara bojëkafe. Ai u ul në buzë të
            karriges pranë tryezës së zezë, hodhi sytë te një pirg fletësh dhe
            pasi u mëdysh për një hop, e zhyti penën në kallamar dhe se
            ç’shkarraviti ca fjalë në mes të fletës.
               – Nesër është Krishtlindje... dhe do ta festojmë, do ta
            festojmë të gjithë bashkë, – murmuriti dhe u zhyt në të thella.
               Aroma e letrës i zgjoi kujtime, po mbase ishin edhe sytë e
            ngrohtë të vajzës, ai vështrim turbullues si i së ëmës ose fytyra e
            pakënaqur e vogëlushit.
               – “Fëmijë të lumtur. Tre.”
               Dukej sikur shihte përtej tyre. Pastaj, sikur diç t’i ishte
            kujtuar, u lëshua në ca ecejake të shpejta tutje-tëhu, ndërsa fliste
            nxitimthi.
               – Nesër është dita e dhuratave, nën pemën e Krishtlindjes...
   10   11   12   13   14   15   16   17   18