Page 15 - Deri në frymën e fundit
P. 15
Anne Swärd 13
Kur i erdhi radha babait të fëmijës për ta këqyrur, edhe ai
u çudit. Vajza nuk i ngjante askujt; atij jo e jo, por as së ëmës.
I pushtuar nga rëndësia e çastit a ndoshta nga zhgënjimi, atij i
iku goja. Nga të dyja palët, i gjithë fisi ishte nordik, ngjyrëçelur
në nuanca të ndryshme. Infermieret reaguan vetëm kur e panë
fëmijën në krahët e të atit, por nuk është se kjo s'kishte ndodhur
më përpara në atë zonë ku kishte plot punëtorë të huaj sezonalë.
Ndodhte që lindnin fëmijë me flokë të zinj korb, që u binin mbas
disa javësh pa u vënë re. Njeriu mbijeton në saje të aftësisë së tij
për t’u përshtatur.
Gjinekologu lau duart diku në sfond dhe ndoshta po mendonte
sërish se puna e tij nuk ishte ndonjë punë fine: gra që ulërinin,
shkelmonin dhe pillnin, a thua se nuk u kishte mbetur më asgjë
njerëzore. Ja, si kjo këtu.
– Bark tepër i madh për një gjë kaq të vogël, – tha, pa u kthyer
dhe pa lënë të kuptohej nëse e kishte për nënën apo fëmijën,
ndoshta për të dy.
Nëna e mori veten, por vajza ishte e dobët. Nuk ishte ndonjë
bebe model: e vogël, pak e zbehtë, pak e dobët dhe, me kalimin
e ditëve, e humbi edhe atë pak fuqi që kishte. Analizat e gjakut
treguan se ishte anemike. Lëkura i shndriste e zbehtë në blu
përkundër flokëve të zinj dhe syve në ngjyrë të errët, ndaj pediatri
propozoi një transfuzion gjaku. Veçse e ëma nuk e lejoi t’ia
shponte të voglën me gjilpëra e tuba, ndaj ai, edhe pse pa dëshirë,
i dha disa javë kohë për të marrë veten.
Verdhëz në maternitet dhe ndalim vizitash. Dy familjet
qëndronin në parkun e spitalit dhe ia bënin me dorë nënës, kur
ngrinte vajzën lart në ballkon. Një fëmijë të zbehtë me flokë të
zinj, kaq shihnin nga ajo largësi. Gjithçka ishte në miniaturë,
përveç syve. Ose, ndoshta, ishte e gjelbra e tyre e errët si ujë
liqenesh, që u krijonte iluzionin se ajo vajzë kishte sy shumë të
mëdhenj.